
Fatmir Mediu, kandidati 7 i “Aleancës për Ndryshim”, zhvilloi takime në zonën e Kombinatit, ku takoi bizneset dhe banorë të kësaj zone. Ai kërkoi mbështetjen e tij për nr.7 dhe për koalicionin “PD-AN”.
Mediu, gjatë takimeve të tij, dëgjoi shqetësimet e bizneseve dhe theksoi se: “Unë mendoj, në të gjitha aspektet, që ne jemi një vend që nuk kemi treg rajonal dhe ideja e uljes së taksës, për një taksë të sheshtë është që ne të kemi kompeticion edhe me rajonin.
E dyta, për të mbështetur bizneset, dhe sidomos bizneset e vogla, si baza e ekonomisë, për t'i dhënë një frymëmarrje sa më të madhe, duke vendosur dhe normën e taksës edhe mbi xhiron për ato që janë nën 14 milionë lekë të jetë 0,5% dhe pastaj të shikojmë dhe në aspekte të tjera, të uljes së çmimit të energjisë, të uljes së çmimit të ujit, sepse të gjitha këto shtojnë mbi njëra-tjetrën”.
“25 prilli është një moment shumë i rëndësishëm. Nuk është çështje thjesht zgjedhjesh politike, por tregojmë se sa e duam dhe e vlerësojmë ne familjen tonë, sa i duam dhe i vlerësojmë ne prindërit tanë, fëmijët tanë dhe vendin tonë, sa besojmë ne te vetja jonë. Ne si “Aleancë për Ndryshim” kemi vendosur që të mos i përgjigjemi asaj fushate konfliktuale që po ndërton Edi Rama. Edi Rama vetëm shan, fyen, përbuz dhe kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë politike dhe është në krye të shtetit. Kur je në krye të shtetit ke shumë në dorë për të bërë, për të mirë apo për të keq, por kur shan, fyen dhe përbuz, gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet”, shtoi Mediu.
“Ne kemi marrë një vendim. Nuk do merremi me Edi Ramën, por do të bashkëpunojmë dhe do të flasim me shqiptarët. Liria dhe dinjiteti janë dy elemente shumë të rëndësishme në jetën tonë. Liria sepse besojmë që mund të kemi mundësi dhe aftësi për të ndërtuar dhe dinjiteti që garantohet vetëm nëpërmjet punës. Prandaj fokusi ynë është te punësimi. Punësimi nëpërmjet zhvillimit të ekonomisë dhe të biznesit”, nënvizoi Mediu. (A2 Televizion)