Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka mbërritur në SPAK. Ai do të merret në pyetje për koncesionin e sterilizimit dhe Check Up, gjatë kohës që ka shërbyer si ministër i Shëndetësie.
Ai dyshohet se ka shpërdoruar detyrën për dy tenderat e dhënë mbi sterilizimin.
Beqja është i fundit që është thirrur në SPAK për të dëshmuar për koncesionin e sterilizimit. Më herët, është marrë në pyetje ish-zëvendësministri, Klodian Rrjepaj.
Hetimi për këtë çështje filloi nga Prokuroria, pas denoncimeve për shkelje ligjore në këto tendera.
Dosja është regjistruar në SPAK, më 18 shkurt të vitit 2020 nga Partia Demokratike, gati një javë pas depozitimit të kallëzimin penal. Selia blu ka kallëzuar 10 persona, mes të cilëve ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, ministren aktuale, Ogerta Manastirliu, drejtues dhe ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe aksioneren e kompanisë përfituese të Check-Up, Vilma Nushin.
Në kallëzim thuhet se ka prova dhe fakte për shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe zbatimin e kontratës. Sipas selisë blu, Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe se procedurat koncesionare kanë qenë fiktive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar.
Po ashtu, në kallëzim thuhet se zyrtarët e kallëzuar, edhe pse janë të detyruar me ligj, nuk kanë ushtruar kontrolle ndaj koncesionarit për të parë nëse respektohet afati i realizimit të analizave prej 3 orësh, janë ndërtuar 475 pika Check-Up dhe 20 laboratorë. (A2 Televizion)