Konferenca e ministrave të rajonit, largimi i të rinjve dhe arsimi cilësor është sfida e përbashkët

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2021, 15:52 | Sociale
Konferenca e ministrave të rajonit, largimi i të rinjve dhe arsimi

Dëshirën për t’u larguar nga vendi nuk e kanë vetëm të rinjtë shqiptarë, edhe në vendet e rajonit dëshira është po e njëjta. Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e BE-së, por këta të rinj bëhen pjesë e saj sapo kalojnë kufirin.

Nisur nga shifrat shqetësuese nga Tirana ministrat e vendeve të rajonit u përpoqën që të jenë joshës ndaj të rinjve. “Janë 52% e të rinjve në Ballkan që duan të ikin, është alarmante. Kanë nevojë për arsimim më të mirë, pjesëmarrje në vendimmarrje si dhe në biznes. Përballë problemeve që i njohin duhet të japin zgjidhje më efektive. Puna kryesore duhet të nis nga qeveria e çdo shteti për nxitur frenimin e emigracionit”, tha sekretari i përgjithshëm i RYCO, Albert Hani.

“Emergjenca e Covid-19, e ka shtuar më tepër distancën midis popujve edhe atyre që qëndrojnë brenda pallateve, pra qeverive. Përfshirja e të rinjve në procese vendimmarrëse është jashtëzakonisht e rëndësishme. Edhe kjo konferencë nuk duhet të jetë monopol i ministrave, por duhet të shohë përfshirjen e të rinjve, jo vetëm të vendeve të BE, por edhe të atyre që duan të hyjnë në BE”, tha Fabiana Dadone, ministre e Politikave Rinore në Itali.

“Fakti është që, shumica e të rinjve duan të largohen nga vendi. Duhet të bëjmë diçka ndryshe. Prandaj ne jemi të angazhuar të vlerësojmë çfarë kemi bërë në kohën e mëparshme dhe të përmirësohemi në të ardhmen. Në këtë konferencë, do të tregojmë programin tonë për të nxitur të rinjtë të mendojnë lirisht, që të jenë të aftë të kritikojnë me argumente, dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre jo vetëm që të punësohen por edhe të kenë punë të mira në vendet tona”, tha Marko Begoviç, Drejtor i Drejtorisë për Rininë, Mali i Zi.

“Jo më kot kemi një ministri të krijuar para dy muajsh. Kemi përparësi arsimin, punësimin, dixhitalizimin. Unë personalisht jam habitur që të rinjtë shqiptarë kanë dëshirë të madhe për vullnetarizëm dhe praktika pune”, tha ministrja Bora Muzhaqi.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përgjatë viteve 2005-2020, nga Shqipëria janë larguar mbi 424 mijë persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos