Konfirmimi në detyrë i kryebashkiakut të Matit, Gjata: KQZ u zhyt në zullum, shkelje e hapur

Nga A2 CNN
17 Qershor 2020, 11:33 | Politikë
Konfirmimi në detyrë i kryebashkiakut të Matit, Gjata: KQZ u zhyt

Listës së denoncimeve për kryebashkiakët e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, PD në 16 janar të këtij viti, i shtoi edhe atë për kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj, që PD pretendonte se ishte në kushtet e moskandidimit në funksione publike, konform ligjit të dekriminalizimit. PD përmend 7 tetorin e vitit 1999, kur Agron Malaj është dënuar nga Gjykata e Matit me 10 muaj burg për “plagosje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Megjithatë, ditën e djeshme, KQZ-ja vendosi me 5 vota ta konfirmojë në detyrë Agron Malajn, duke u zotuar se nuk ndodhet në kushtet e ndalimit. Malaj është kryebashkiaku i pestë socialist, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, që Partia Demokratike ka denoncuar për fshehje të së shkuarës kriminale. Për vendimin e djeshëm, PD njoftoi se do të kallëzonte penalisht 5 anëtarët e KQZ-së, si dhe do të ankimonte në gjykatë këtë vendim.

Për qëndrimin e fundit të Partisë Demokratike foli në A2 sekretari për çështjet ligjore në këtë parti, Çlirim Gjata.

“Këta kryebashkiakë janë njerëzit e Edi Ramës, të cilët vijnë nga bota kriminale, të kapur peng dhe do të bëjnë se çfarë thotë Rama. Kur ka raste të tilla, krijohen ligje, kushtetuta. Nuk mund të luftojmë me Malajn, problemi është te institucionet që nuk zbatojnë ligjin. Rilindja e Ramës e mbushi administratën, bashkitë me kriminelë dhe u detyrua të ndërmerrej një nga reformat më serioze, ajo e ligjit të dekriminalizimit. Kjo është fitorja më e madhe e PD-së në këto 7 vite, ligji i dekriminalizimit. E vetmja tolerancë që nuk është ligjore, është Edi Rama. KQZ aktuale është në ikje dhe zbaton urdhrat e Edi Ramës. Ndodhi pak a shumë si me dekretin e presidentit për zgjedhjet lokale që janë nul. KQZ nuk është Gjykatë Kushtetuese. Tashmë, KQZ u zhyt më keq në zullumin e vet. Ai ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje. Ligji i dekriminalizimit e kap, ndërsa këta e rikonfimuan në detyrë në mënyrë antikushtetuese, antiligjore. Prandaj, kjo është vepër penale, shpërdorim detyre. Është shkelje e hapur.

Ne po mbajmë një qëndrim tepër moral, institucional dhe kushtetues. Pse PD nuk futi kriminelë në parlament, por vetëm Edi Rama? Madje, edhe kur e morëm vesh se kishim persona të inkriminuar, menjëherë u larguan dhe iu la Edi Ramës të fitonte pa kundërshtarë, vetëm që ne të mos fusnim persona të inkriminuar. Ky është qëndrimi moral dhe për këtë kemi nevojë sot”, u shpreh Gjata.

Gjata foli edhe për marrëveshjen e arritur mes palëve për reformën zgjedhore, duke u shprehur se PS humbi në atë marrëveshje dhe tashmë po kërkon të eliminojë koalicionet.

“PS nuk do të bëjë zgjedhje sipas rregullave që dolën nga marrëveshja, pasi humbi në marrëveshje, nuk kishte nga ia mbante. Ai kërkoi në 2017 timonin vetëm dhe tani nuk i shkon më njeri në koalicion. Marrëveshja është e mbaruar dhe Rama i ka të humbura zgjedhjet, ka parë numrat dhe e di se çfarë ka ky koalicion dhe se çfarë ka vetë. Prandaj po bën luftë dhe pisllëqe të tilla, por marrëveshja është e firmosur”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos