Kongresi amerikan rrëzon rezolutën kundër Presidentit Trump

Nga A2 CNN
18 Korrik 2019, 16:11 | Bota
Kongresi amerikan rrëzon rezolutën kundër Presidentit Trump

Kongresi Amerikan rrëzoi me 332 vota pro dhe 95 kundër, nismën e deputetit demokrat Al Green për “impeachment” të Presidentit Donald Trump. Pavarësisht disfatës, Green, mbrojti kauzën e tij.

“Sipas mendimit tim, unë nuk dështova. Ne duhet të bëjmë deklarata për popullin amerikan se disa prej nesh besojnë se presidenti është i padenjë dhe se duhet të shkarkohet”, tha Al Green, deputet demokrat.

Përpjekja e Green për “impeachment”, lindi nga bindja e tij se Presidenti amerikan duhet të ndëshkohet për mesazhet kontroverse në “Twitter”.

“Pse mos t’i dërgojmë presidentit një mesazh të fuqishëm që ky vend nuk toleron fanatizmin, racizmin, urrejtjen, ksenofobinë dhe islamofobinë?”

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve dha arsyetimin e saj pse demokratët nuk mbështetën nismën e Green. “Ne kemi 6 komitete që po punojnë përmbledhjen e fakteve lidhur me ndonjë abuzim të mundshme me pushtetin, pengim të drejtësisë dhe ndonjë angazhim tjetër të presidentit”, tha Nancy Pelosi.

Trump reagoi kështu ndaj votimit: “Ishte projekti më qesharak, në të cilin jam përfshirë ndonjëherë. Kjo mbaroi, Demokratët t’i rikthehen punës tani”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos