Një prift që kthehej nga predikimet e tij në një nga zonat më të thella të Republikës Demokratike të Kongos mund të ketë zgjuar sërish një nga makthet më të mëdha të mjekësisë botërore, mundësinë e epidemisë të virusit Ebola.
Religjiozi u diagnostikua si i sëmurë me Ebola, duke ndërruar jetë pak më vonë, pasi ishte ndjerë keq në një autobus që udhëtonte nga Butembo tek qyteti Goma, një metropol me gati 2 milionë banorë.
Pikërisht arritja e personit të infektuar në një metropol të mbipopulluar dhe të varfër po shqetëson së tepërmi Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Ebola shpërndahet me ritme të frikshme nga njeriu në njeri, dhe prania e saj në një qytet që ndër të tjera është një kryqëzim i rëndësishëm i tregtisë në vendet e Afrikës Qendrore dhe ekzistenca i një aeroporti ndërkombëtar aty justifikon gjendjen e alarmit me statusin e rrezikut të shëndetit publik ndërkombëtar.
Një status i tillë ka fuqinë të izolojë ndërkombëtarisht një vend, dhe të vendosë bllokadë të porteve dhe aeroporteve.
Lajmi vjen pak kohë pas vendimit të autoriteteve kongoleze të refuzojë një vaksinë të kompanisë amerikane Johnson & Johnson kundër virusit, me arsyen e “mungesës të evidencave shkencore”.

Virusi Ebola shkakton disa ethe hemorragjike që janë vdekjeprurëse në të paktën 50% të rasteve tek qeniet njerëzore.
Virusi, që është shfaqur për herë të parë në 1976 në Kongo pranë lumit Ebola, mendohet se është transmetuar tek njeriu nga disa specie lakuriqësh nate. (A2 Televizion)