
Rehabilitimi i dëmeve që ka sjellë dalja nga shtrati i lumit Drin në Bërdicë të Shkodrës është vendimi i parë i Komitetit të Emergjencave Civile të saporikonstituuar, i cili diskutoi për situatën nga reshjet, masat e marra dhe pritshmëritë meteorologjike.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh se është bërë i mundur evakuimi në kohë i familjeve të prekura dhe se deri më tani nuk ka pasur asnjë humbje jete.
“Kanë qenë prurje të mëdha, ku Kaskada e Drinit ka shkaktuar disa fish më tepër dëme. Kemi mundur të largojmë nga rreziku të gjitha familjet. Nuk kemi dëme në njerëz, ndërsa edhe dëmet materiale i kemi minimizuar aq sa nuk ka të krahasuar me të shkuarën”.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, bëri një përmbledhje të situatës së deritanishme, ku pavarësisht reshjeve të dendura, ai tha se situata është nën kontroll.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se është bërë e mundur hapja e të gjitha akseve, veç Thethit, ku ajo kërkoi edhe ndihmën e Forcave të Armatosura me mjete të rënda.
Nga ana e saj, ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi informoi se të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë për largimin e ujit. Ajo kërkoi edhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të bërë të mundur që pas kalimit të situatës të ndërhyhet për rehabilitimin e dëmeve që ka sjellë dalja nga shtrati i lumit Drin në Bërdicë të Shkodrës.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral major Bajram Begaj siguroi se janë vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet operacionale për përballimin e situatës, duke përfshirë edhe disa mjete të rënda.
Ndërsa drejtori i IGJEUM, bëri të ditur se pas datës 13 janar pritet edhe një përmirësim i kushteve atmosferike që do të sjellë dhe tërheqjen e lumenjve brenda shtratit të tyre. (A2 Televizion)