
Nga kjo e hënë, nxënësit e shkollave fillore dhe gjimnazet janë rikthyer në mësim, pas pushimeve të dimrit, në mënyrë të alternuar. Klasat do të jenë të hapura tri herë në javë për një pjesë të nxënësve dhe dy herë të tjera për një pjesë tjetër. Rrotacioni i javëve ka sjellë konfuzitet tek të rinjtë, të cilët kërkojnë rikthimin në mësim rregullisht.
Në pritje për t’u rikthyer në auditore janë edhe studentët. Pedagogu Albano Zhapaj thotë se mësimi online po funksionon jo më tepër se deri në masën 30%, pasi mungon aksesi i sigurt me internet.
“Po bëjmë sikur po bëjmë mësim, po kur të bëjmë provim? Do bëjmë sikur bëjmë provim? Universiteti e ka humbur misionin e tij. Në RMV jam pedagog dhe atje vazhdon normalisht”.
Shtyrja e hapjes së universiteteve sipas pedagogut është vendim politik. Në parashikimet e tij, studentët mund të hyjnë në auditorë, në fund të prillit.
“Sepse në 25 janë zgjedhjet dhe qeveria nuk i do studentët nëpër këmbë pasi mund të ketë protesta.
Përveç kostove ekonomike të internetit dhe printimit të leksioneve, eksperti i arsimit të lartë thotë se studentët po paguajnë tarifat e njëjta si të ishin në universitet, pasi deri më tani nuk ka një vendim për rimbursimin e këtij detyrimi vjetor. (A2 Televizion)