
Ministria e Brendshme pritet të mbyllë konsultimin publik sa i takon ndryshimeve ligjore të shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat.
Në vlerësimin e ministrisë, tashmë ky nuk do të jetë më një shërbim por Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila mbart në vetvete dhe ndryshim kompetencash sa i takon pjesës operacionale. Ndryshimet janë që në krye të herës në fushën e zbatimit të ligjit.
Në ligjin e vjetër shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesat ushtronte veprimtarinë e tij tek efektivet e policisë drejtoria e ruajtjes së personaliteteve të larta si dhe tek struktura e mbrojtjes nga zjarri.
Kjo e fundit hiqet ndërsa agjencia ka për detyrë të kontrollojë personelin e akademisë së sigurisë. Një tjetër risi ndryshe nga ligji i vjetër, ku atributet i kishte vetëm ministri i Brendshëm, tashmë struktura dhe organika e agjencisë do të përcaktohet me urdhër të kryeministrit si dhe me propozimin e ministrit të Brendshëm.
Një pikë e cila pritet të ketë debat edhe në diskutimet e komisioneve parlamentare është ajo e veprimtarisë informative të agjencisë. Sipas projektit parashikohet se teknikat e gjurmimit apo mbikëqyrja e veçantë bëhet nga komunikime jo elektronike, por në nenin 26 tek masat e veçanta diçka e tille ndryshon.
Ashtu si dhe në ligjin e policisë së shtetit, ku kërkohej përgjimi, tashmë Agjencia e Mbikëqyrjes policore gjatë masave të veçanta mund të përdorë mjete, pajisje apo teknika të veçanta për identifikimin apo lokalizimin e vendndodhjes.
Diçka e tillë nënkupton pajisje gjurmuese, edhe pse më poshtë parashikohet që kushtet dhe rregullat vendosen nga ministri, Prokurori i Përgjithshëm dhe ai i Prokurorisë së Posaçme. Sërish pikëpyetja mbetet se a duhet të jetë ministri i Brendshëm pjesë e vendimmarrjes së kushteve apo rregullave, atributeve të cilat i takojnë prokurorisë, ku akuza pak kohë më parë kërkoi që ekzekutivi të qëndrojë larg gjyqësorit. (A2 Televizion)