
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar sot një takim me familjarët e pacientëve të shtruar me Covid-19, në pikën e informacionit të ngritur pranë Spitalit Infektiv, për të dëgjuar shqetësimet dhe për të folur për elementet e reja të komunikimit të familjarëve me pacientët.
“E mirëkuptoj që ju doni të komunikoni. QSUT ka vendosur një rregullore dhe ne këtë mekanizëm jemi duke e përmirësuar, qoftë nëpërmjet administratorit të spitalit, qoftë nëpërmjet koordinatorëve me pacientin, qoftë nëpërmjet psikologëve, të cilët janë aty dhe do shërbejnë gjithashtu dhe për të bërë lidhjet direkte nëpërmjet tabletave që ne kemi vënë në dispozicion, pikërisht për të përmirësuar komunikimin. Kjo është një mënyrë e lehtë dhe shumë më e shpejtë për të komunikuar edhe për të t’i vendosur në kontakt familjarët me pacientët dhe patjetër që edhe ju qetësoheni. Tabletat do të shpërndahen në të gjithë spitalet Covid”, tha Manastirliu.
Familjarët e pacientëve kërkuan vendosjen e një komunikimi me koordinatorët në orare të caktuara, por edhe fleksibilitet në orare. Sipas rregullave të vendosura të komunikimit familjarët mund të dërgojnë sendet personale të të afërmeve apo të marrin informacion në oraret 9-11 paradite dhe 16-17 pasdite në pikën e informacionit të caktuar pranë Spitalit Infektiv.
Tabletat e vendosura në dispozicion do të shërbejnë për të bërë lidhjen mes familjarëve dhe pacientëve, me koordinimin e administratës së spitaleve COVID. (A2 Televizion)