
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë goditur një tjetër rast të tentativës për të kontrabanduar mallra në vendin tonë. Gjatë kontrollit të imtësishëm në automjetin e një 42-vjeçari janë gjetur dhe sekuestruar aksesorë floriri si varëse, byzylykë, unazë dhe vathë dhe 14 ora dore, të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, pasi 42-vjeçari nuk dispononte faturë të blerjes së këtyre sendeve.
Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, mbështetur nga inteligjenca informative, bazuar në analizën e riskut, si dhe në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë dhe me autoritetet doganore të PKK Rinas, kanë intensifikuar kontrollet për këtë qëllim.
Në këtë kuadër, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje, bazuar në analizën e riskut, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin K. H.
Si rezultat i kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, aksesorë floriri (varëse, byzylykë, unazë dhe vathë) dhe 14 ora dore, të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, pasi 42-vjeçari nuk dispononte faturë të blerjes së këtyre sendeve.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)