
Edi Rama ndryshoi 3 drejtues politikë të qarqeve një natë më parë, ndërsa Partia Socialiste vijon përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Ajo që ra në sy ishte largimi i Arben Ahmetajt nga Vlora dhe dërgimi atje i Blendi Klosit. Pas shkarkimit si Zv/kryeministrër, Ahmetaj është thjesht deputet dhe anëtar kryesie i PS-së, pa asnjë angazhim në fushatën e ardhshme të socialistëve.
Po ashtu, në sy ra rikthimi i Pandeli Majkos si drejtues në Kukës, ndërsa Elisa Spiropali shkon në Shkodër në vend të Edona Blialit.
Për largimin e Ahmetajt, analisti Aleksandër Çipa u shpreh që palët janë treguar të kujdesshme që të mos dalë asnjë detaj deri para zgjedhjeve lokale, pasi do të kishte kosto.
“Ky çmontim që po ndodh në mënyrë të shpejtë dhe në prag të fushatës zgjedhore, në brendinë e vet ka diçka që të dy protagonistët nuk rezervojnë ta ndajnë me publikun. Ata kanë qenë të kujdesshëm që të mos e ndajnë as brenda diskutimit apo debatit brenda familjes politike.
Sipas të gjitha gjasave, kjo është një çështje që mesa duket nuk do të çmontohet, të paktën, deri në zgjedhjet vendore, pasi mund të mbartë një kosto që nuk është vetëm politike, por edhe partiake. (A2 Televizion)