
Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar pretendimin e bashkisë së Tiranës për të marrë në pronësi kopshtin botanik.
Trupi gjykues i ka dhënë të drejtë rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, duke e njohur këtë pronë edhe në funksion të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
Për kreun e universitetit kërkesa e Bashkisë përbën një shkelje të hapur të autonomisë dhe Ligjit të Arsimit të Lartë. Përplasjet për pronësinë e kopshtit botanik kanë përfshirë më herët edhe opozitën, sipas të cilës, kryebashkiaku Veliaj dhe kryeministri Rama kanë planifikuar ndërtime aty.
Por, këto akuza janë hedhur poshtë nga nënkryetari i bashkisë së kryeqytetit. Arbian Mazniku tha në 14 Tetor në emisionin Dita Jonë në A2CNN, se interesi i bashkisë është të rivitalizojë këtë hapësirë dhe në periudhën kur nuk i duhet universitetit, të jetë i hapur për qytetarët e Tiranës.
Sipas tij Bashkia e kryeqytetit është e gatshme për një marrëveshje me universitetin, që t’i ruhen të gjitha të drejtat që gëzon aktualisht.
(A2 Televizion)