Koronavirusi godet turizmin, në listë edhe Italia e Greqia

Nga A2 CNN
7 Mars 2020, 13:36 | Bota
Koronavirusi godet turizmin, në listë edhe Italia e Greqia

Përhapja e shpejtë e koronavirusit në të gjithë botën dhe frika prej tij do të vënë në vështirësi ekonominë botërore këtë vit, me turizmin si një prej degëve më të rrezikuara.

Mungesa e turistëve është ndjerë në të gjitha sheshet dhe destinacionet kryesore në Evropë dhe Azi, ndërsa linjat ajrore dhe rrjetet e hoteleve kanë hasur një rënie të ndjeshme të të ardhurave.

Këshilli Botëror i Turizmit ka hartuar një listë me vendet që do të ndjejnë më tepër pasojat nëse situata vazhdon apo thellohet, për shkak të të ardhurave të konsiderueshme që ato fitojnë nga kjo industri.

Në krye të kësaj liste qëndrojnë Filipinet, që mbështet ¼ e ekonomisë së saj pikërisht tek turizmi, ndjekur nga Tailanda, me një ndikim prej 21.6% të prodhimit të brendshëm bruto.

Më pas ndjekin dy destinacione të rëndësishme evropiane si Greqia dhe Portugalia, që rrezikojnë përkatësisht 20.6% dhe 19.1% të ekonomive të tyre. Vendet e tjera në listë janë Zelanda e Re, Hong Kongu, Meksika, Austria, Spanja, Italia, Malajzia, Turqia, Egjipti dhe Kina.

Sipas të dhënave të kësaj organizate, turizmi në Shqipëri zë mbi 10% të kontributit në ekonomi, duke krijuar mbi 300 mijë vende pune të lidhura me të. Kjo peshë e madhe bën që vendi ynë gjithashtu të jetë i rrezikuar nga mungesa e pushuesve për shkak të koronavirusit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos