Kosova vijon të raportojë shifra të larta ditore, lidhur me pandeminë e Covid-19. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, 152 persona rezultuan pozitivë ndaj koronavirusit në 24 orë, ndërsa viktimat ishin 9. Në total, Kosova regjistron 75 jetë të humbura nga Covid-19. Paraditen e së dielës policia dhe prokuroria u panë në Klinikën Infektive ku trajtohen rastet me koronavirus. Autoritetet nuk kanë dhënë ndonjë hollësi për arsyet e hetimeve, ndërkaq në një njoftim për media ministria e Shëndetësisë bëri thirrje për përmbajtje në pritje të rezultateve të hetimeve nga organet përgjegjëse. Në njoftim thuhet se dyshimet që nxitën fillimin e hetimeve lidhen me “vdekjet brenda një afati shumë të shkurtër kohor”. Ajo çka mund të thuhet deri në këto momente është se të gjithë këta pacientë kanë qenë të konfirmuar përmes metodës standarde të aplikueshme të diagnostikimit me Covid-19 dhe kanë qenë në gjendje kritike duke u trajtuar në Klinikën Infektive. “Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, bëjmë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga përfundimet e parakohshme”, thuhet në njoftim. Qeveria e Kosovës miratoi të dielën një sërë masash me qëllim të parandalimit te frenimit të përhapjes së pandemisë. Ndër to është edhe kufizimi i lëvizjeve nga ora 21 deri në 5 të mëngjesit në qytetet me më shumë infektime, si Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria. (A2 Televizion)
Koronavirusi, Kosova vijon të raportojë shifra të larta ditore
