
Shqipëria ka gati laboratorin e virologjisë, në të cilin do të kryhet diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin COVID-19.
Gjatë inspektimit të laboratorit pranë Institutit të Shëndetit Publik, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se kjo është një tjetër masë që merret në kuadër të përforcimit dhe rritjes së kapaciteteve për zbulimin e koronavirusit.
Manastirliu edhe një herë konfirmoi se në vendin tonë nuk ka raste personash të prekur nga koronavirus, dhe shtoi se janë gati planet e reagimit sipas shkallës së rrezikshmërisë.
Forcimi i kapaciteteve të sistemit shëndetësor shqiptar u konfirmua edhe nga Indeksi Global i Sigurisë Shëndetësore i cili e rendit vendin tonë në pozicionin e 39 nga 95 vende të vlerësuara për përgjigjen e sistemeve shëndetësore për trajtimin e pacientëve, për zbulimin dhe reagimin e shpejtë ndaj epidemive, etj. (A2 Televizion)