Koronavirusi në Shqipëri, Meta pret ministren Manastirliu

Nga A2 CNN
10 Mars 2020, 20:55 | Aktualitet
Koronavirusi në Shqipëri, Meta pret ministren Manastirliu

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar mbrëmjen e së martës një takim me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe një pjesë të ekipit Task-Force.

Kreu i Shtetit ka shprehur solidaritetin dhe përkrahjen në këtë situatë, ndërkohë që ka ngritur edhe disa shqetësime.

“Theksova domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve, veçanërisht me qytetarët, si dhe përfshirjen e kapaciteteve njerëzore e shkencore, edhe jashtë shërbimit aktiv shëndetësor, duke e konsideruar këtë hap si vendimtar për suksesin e tejkalimit të kësaj sfide madhore. U interesova për gjendjen aktuale shëndetësore të qytetarëve të prekur nga coronavirusi, dhe shpreha falënderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës që është duke shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal”, lexohet në postimin e Metës në Facebook.

“Nënvizova rëndësinë e marrjes së plotë të masave mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe përshëndeta mbështetjen financiare shtesë të miratuar nga qeveria për ta. Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë kryesor, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim i menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore, dhe për çdo shqetësim t’i drejtohen numrin 127 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë”, shton Kreu i Shtetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos