NATO lë në pritje Tiranën, Rama nga Dublini: Nuk ka samit në 2027, presim 2028

Nga Fjorela Beleshi
12 Nëntor 2026, 15:11 | Politikë

Edhe nëse takimi do të jetë në Shqipëri, Samiti i NATO-s nuk do të zhvillohet vitin që vjen. Dilemave dhe pikëpyetjeve u dha fund Kryeministri Edi Rama nga Dublini, ku po merr pjesë në Komunitetin Politik Europian.

“Shqipëria është caktuar si vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO. Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri jo në vitin 2027 dhe, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë, kjo është e padiskutueshme. Ato që po diskutohen për këtë çështje janë marrëzira”, tha Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare u pyet nga gazetarët e huaj edhe për marrëdhënien e tij me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, dhe për fatin e ishullit të Sazanit.

“Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi me atë. Ai është një nga investitorët e shumtë që kanë treguar interes për vendin tonë. Aktualisht po zhvillohen bisedime m grupin e tij. Nuk ka ende asnjë marrëveshje pasi prej tre vitesh jemi në negociata. Nuk është shitur asnjë ishull dhe nuk ka asnjë kërkesë për ta blerë. Ishulli është pronë e Shqipërisë dhe i tillë do të mbetet. Shqipëria synon të jetë aksionere në këtë investim. Kjo është e vërteta”, vijoi kreu i qeverisë.

Rama ua preu shkurt mediave të huaja kur u pyet nëse Shqipëria mund të ecte më shpejt drejt BE nëse ai nuk do të ishte kryeministër.

“Kjo nuk është çështje që mund ta vendosni ju, por u takon qytetarëve shqiptarë. Dhe Populli shqiptar më ka dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Evropian. Kjo nuk ka ndodhur 10 vite më parë, po ka ndodhur vitin e shkuar. Pra, ju jeni ndikuar shumë nga gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat që janë përhapur për Shqipërinë”, theksoi ai.

Rama shpreson që BE të ndjekë praktikën e meritës edhe për Ukrainën, ashtu siç po ndodh edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk ka rrugë tjetër për t'u anëtarësuar në BE përveç ndjekjes së procesit të bazuar në merita dhe kjo do të vlejë edhe për Ukrainën. Uroj që BE  të gjejë momentin e tij të ri Helmut Kohl dhe t'i mbledhë të gjithë rreth tryezës, duke ruajtur për secilin procesin e bazuar në merita”.

Edhe pse e pranon që është lideri i një vendi të vogël, sërish Rama i jep mend Europës që ka bërë gabim që diplomacinë me Rusinë dhe Ukrainën ja ka lënë SHBA. “Rusia këtu do jetë në Europë” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos