Ukraina refuzoi formulën e paqes të prezantuar në Abu Dabi, si pjesë e së cilës duhej t’ia dorëzonte të gjithë rajonin e Donbasit Rusisë, e megjithatë administrata Trump nuk heq dorë nga përpjekjet për ta çuar konfliktin drejt zgjidhjes.
Të dërguarit e posaçëm Jared Kushner dhe Steve Witkoff mbërritën në Moskë për bisedime me presidentin rus Vladimir Putin. Takimi, i cili do të jetë i dhjeti që njerëzit e Trump zhvillojnë me shefin e Kremlinit, vjen pasi negociatat trepalëshe dyditore në Abu Dabi u mbyllën pa ndonjë përparim konkret, përveç dakordësisë për shkëmbimin e të burgosurve.
Kushner dhe Witkoff pritet të adresojnë çështjen e përfshirjes së partnerëve evropianë në tryezën e dialogut. Sipas një diplomati rus të cituar nga Reuters, Moska mund të finalizojë pakte mossulmimi me vendet anëtare të NATO-s, si pjesë e një arkitekture të re të sigurisë për Evropën.
Megjithatë, shumë politikanë evropianë shprehen kundër çdo diskutimi mbi sigurinë e përgjithshme të Evropës përpara se të arrihet përparim konkret lidhur me Ukrainën, përfshirë edhe arritjen e një armëpushimi.
Ndërsa përpjekjet për t'i dhënë fund luftës vazhdojnë, sulmet mes dy vendeve nuk ndalen. Rusia deklaroi se kishte goditur objekte ushtarake, energjetike dhe një depo municionesh në Kiev, ku raportohen shpërthime dhe dëme në infrastrukturën civile dhe energjetike.
Në kryeqytet, një person u vra dhe shtatë të tjerë u plagosën.
Ndërkohë, autoritetet ruse njoftuan se kishin rrëzuar disa dronë që po drejtoheshin drejt Moskës dhe rajoneve të tjera të vendit. (A2 Televizion)