Britma, lot dhe garë me kohën. Shembja e pallatit në Nju Jork, viktima dhe të bllokuar nën rrënoja

Nga Rosalba Bejdo
12 Nëntor 2026, 14:53 | Bota

Një garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të mundshëm të bllokuar nën rrënoja, pasi një pallat banimi në qytetin e Nju Jorkut u shemb të mërkurën.

“Kemi parë teksa nxirrnin trup pas trupi nga ajo që tashmë është kthyer në një gropë të mbushur me rrënoja”.

Ekipet e CNN përshkruajnë skenën tronditëse. Disa persona humbën jetën, mes tyre edhe një fëmijë. Mbi 12 të tjerë mbetën të plagosur, disa në gjendje kritike.

Familjarët presin të dëshpëruar pranë vendngjarjes për të mësuar lajme. “Ajo është gjallë. Është ende gjallë. Ajo është…”.

Ky burrë shpërthen në lot pasi sheh bashkëshorten e tij shtatzënë teksa nxirret nga rrënojat, i lehtësuar që ajo është gjallë.

“Gjithçka që dëgjova dhe pashë ishin tulla që binin pranë këmbëve të mia”, tha Anthony Griggs, dëshmitar.

Dëshmitarët përshkruajnë momentet e tmerrshme kur ndërtesa trekatëshe u shemb, pak pas orës 16:00 të së mërkurës, në Bruklin. "Ndërtesa sapo u shemb. O Zot!"

Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut bën të ditur se ndërtesa u rrëzua mbi një kantier ndërtimi pranë saj, duke lënë disa persona të bllokuar nën rrënoja.

"Prej disa orësh po bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar këdo që mund të jetë plagosur nga kjo shembje", tha John Esposito, shef i Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut.

Më shumë se 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencave janë ende në vendngjarje, edhe disa orë pas shembjes.

“Kjo ka qenë një situatë jashtëzakonisht e vështirë dhe që ka ndryshuar me shpejtësi, me rrënoja të paqëndrueshme që duhen përshkuar dhe zgavra të rrezikshme nën sipërfaqe”, tha Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani.

Autoritetet po punojnë ende për të përcaktuar shkakun e shembjes së ndërtesës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos