Izraeli ka urdhëruar ushtrinë të bëhet gati për sulme të mundshme ndaj Iranit, ndërsa Teherani paralajmëron se do të zgjerojë luftën përtej rajonit nëse do të sulmohet.
Mediat izraelite raportuan mbrëmjen e së mërkurës se kabineti i sigurisë, i kryesuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu, urdhëroi ushtrinë të përshpejtojë përgatitjet për nisjen e një vale të re bombardimesh. Televizioni publik KAN tha se direktivat ishin bërë publike pasi lideri i opozitës, Gadi Eisenkot, kishte paralajmëruar Netanyahun të mos mobilizonte ushtrinë pa një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe imediat, deri sa të formohej qeveria e re.
“Udhëzimet e dhëna nga kabineti i sigurisë ushtrisë izraelite mund ta shtyjnë atë të ndërmarrë veprime që mund të shkaktojnë një luftë”.
Netanyahu, i cili rrezikon të humbasë pushtetin nëse opozita arrin të formojë një qeveri, ka këmbëngulur se lufta kundër Iranit do të vazhdojë deri në rrëzimin e qeverisë në Teheran.
Raportimet për përgatitjet e Izraelit për të sulmuar Iranin vijnë në një kohë kur po zhvillohen përpjekje intensive diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe për të arritur një zgjidhje diplomatike.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të rifillojë luftën nëse përpjekjet diplomatike të ndërmjetësuara nga Katari dështojnë të sigurojnë një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Kreu i sigurisë së Iranit, Mohsen Rezaei, paralajmëroi se nëse SHBA-ja dhe Izraeli nisin një tjetër luftë kundër Iranit, çdo bazë ushtarake e përfshirë në agresion, nga Azia Perëndimore deri në Evropë, do të jetë një objektiv legjitim për sulmet vdekjeprurëse të Iranit.
Mediat në Teheran bënë të ditur para pak ditësh se mes shënjestrave të mundshme të Gardës Revolucionare ishte edhe Shqipëria. (A2 Televizion)