Kriteret që duhen plotësuar për të bërë testin e koronavirusit

Nga A2 CNN
10 Mars 2020, 20:23 | Aktualitet
Kriteret që duhen plotësuar për të bërë testin e

Radiologia Arminda Avdulaj, e ftuar në studion e “Ditari” në A2, tregoi se cilat janë kriteret që një person të kryejë testin nëse është i prekur ose jo nga koronavirusi.

“Në rast se kemi pasur ose mendojmë se kemi pasur kontakt me një person të prekur nga koronavirusi, kjo nuk mjafton për të na shtyrë ne për të bërë testin. Kriteret aktualisht janë dy. Kriteret klinike, me 3 simptomat kryesore: temperaturë e lartë, kollë e thatë dhe vështirësi në frymëmarrje; kriteret e dyta janë ato epidemiologjike: udhëtimi në një zonë me rrezik (Kina, Koreja e Jugut, Irani dhe Italia) ose kontakti i ngushtë me një person të konfirmuar me koronavirus. Në rast se kemi pasur kontakt, gjurmohen të gjithë personat që mund të kenë pasur kontakt, që janë familjarë, miq dhe kolegë. Të gjithë këta gjurmohen nga institucionet shtetërore dhe bëhen kandidatë për testimin e koronavirusit”, shpjegoi Avdulaj.

Sipas saj, “dyndja në supermarkete ka krijuar situata me risk të lartë”.

“Sa më shumë njerëz, aq më shumë rrezik ka për shpërndarjen e virusit. Rruga e përhapjes së koronavirusit është me anë të spërklave gjatë teshtitjes dhe kollitjes. Kur këto spërkla bien mbi sipërfaqe të ngurta ose rroba, mund të jetojnë disa ditë. Prekja e këtyre sipërfaqeve dhe më pas prekja e hundës dhe gojës, mund të na rrezikojë shumë. Çdo objekt që preket nga shumë persona gjatë ditës mund të jetë pika e fillimit”, theksoi Avdulaj.

Në fund, radiologia nënvizoi se situata “nuk është aq shqetësuese sa e kemi marrë”, por shtoi se “kujdes të veçantë duhet të kenë personat e moshuar që kanë patologji bashkekzistuese të sistemit kardiovaskular dhe respirator”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos