
Trafiku në Tiranë ngjante si ai i ditëve të zakonshme para koronavirusit dhe kufizimeve të lëvizjes që ai solli që prej muajit mars.
Njerëzit e makinat lëviznin zhurmshëm në kryeqytet, duke krijuar edhe trafik deri në orën 13:00, kur mbyllej qarkullimi sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Distancat sociale që mjekët e politikëbërësit artikulojnë shpesh në ekranet televizive, nuk zbatohen. Pavarësisht se numri i të prekurve nga koronavirusi në vendin tonë i ka kaluar 400.
Postblloku i kontrollit pranë Zogut të Zi ishte ndër të paktët që pamë në Tiranë për të verifikuar nëse qytetarët e kishin apo jo lejen për të qarkulluar të marrë në e-Albania.
Duket se i ka mbetur ndërgjegjes së qytetarëve që të zbatojnë apo jo rregullat e lëvizjes. Megjithatë, nga e hëna qyetarët do të kenë 4 orë e gjysmë më shumë kohë në dispozicion për të përmbushur angazhimet e tyre. (A2 Televizion)