Gropa në buxhet, ekspertët rendisin arsyet, Teliti: Sinjal për ekonominë

Nga A2 CNN
17 Shtator 2019, 19:35 | Ekonomi
Gropa në buxhet, ekspertët rendisin arsyet, Teliti: Sinjal për

Aksioni i ri kundër informalitetit nuk ka dhënë rezultatin e pritur nga qeveria. Të ardhurat nga akciza dhe TVSH-ja e brendshme, pikërisht zërat ku është përqendruar kjo nismë rezultojnë larg planit edhe në muajin gusht. Kjo sipas ekspertëve ndodh për shkak se fokusi ka qenë i gabuar.

“Duhet konsoliduar në një formë më të qëndrueshme, në mënyrë që ky kontroll nga administrate tatimore të mos jetë nga distanca ose me fushata, por të jetë më i strukturuar, më i informatizuar dhe në një formë që kërkon më pak burime njerëzore, por edhe jep rezultate më të qëndrueshme”, u shpreh pedagogu dhe eksperti për ekonominë, Olti Rrumbullaku.

“Krahasuar me muajin gusht, i cili bëri ndërhyrjen e dhunshme, duke shkuar biznes më biznes, duke iu bërë atyre presione nga më të ndryshmet, pjesa më e madhe e tyre abuzive. Atëherë duhet të vilen të ardhura më të mëdha në arkën e shtetit. Përkundrazi, gushti i vitit 2019 rezulton të jetë i mbledhur nga Tatimet 11 milionë dollarë më pak krahasuar me një vit më parë”, tha Dorian Teliti.

Teliti e sheh rënien e TVSH-së si një sinjal për të marrë masa të menjëhershme për të rimëkëmbur ekonominë. 

Fokusi i nismës së re kundër informalitetit kanë qenë kryesisht bizneset e vogla në fushën e turizmit, si dhe ndërtimi e karburantet. Sipas Drejtoreshës së re të Tatimeve, Delina Ibrahimaj, në vijim aksioni do të shtrihet edhe tek të mëdhenjtë, me në fokus deklarimin e pagave reale (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos