
Gushti përkon dhe me muajin e korrjeve të bimëve narkotike si kanabis sativa. Temperaturat e larta të cilat favorizojnë rritjen e bimës në kohë rekord në vend, kanë bërë që Shqipëria të mbajë vendin e parë për kultivimin e kanabisit. Ky është edhe momenti kur Policia e Shtetit nis gjuetinë masive në të gjithë territorin për evidentimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike.
Sipas një informacioni zyrtar të drejtorisë së Policisë së Shtetit, 1600 forca policie janë angazhuar në këtë operacion. Prej ditës së djeshme dhe paradites së sotme, janë ushtruar kontrolle të territorit nga Drejtoritë Vendore të Policisë, Polica Kufitare, Forcat e Lëvizshme Operacionale, nën drejtimin e grupeve të posaçme.
Si rezultat i kontrollit, në të gjithë vendin janë evidentuar dy raste, një rast në Malësinë e Krujës me 93 bimë dhe një rast në Gjorm të Vlorës me 40 bimë narkotike, të dyshuara kanabis. Monitorimi nga ajri , nga ana e italianëve të Guardia di Financa, e koordinuar me grupet e kontrollit nga toka, kanë qëllim verifikimin e çdo koordinate, ku dyshohet se mund të ketë të kultivuara bimë narkotike. (A2 Televizion)