
Sipas Partisë Demokratike të Rithemelimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar korrupsion në Bashkinë e Fushë-Arrëzit në vitin 2019, në dy tendera, duke bërë kallëzime për personat që kanë kryer vjedhjen në lidhje me zyrtarët e bashkisë.
Ivi Kaso, Sekretari për Çështjet Ligjore të Rithemelimit, i bëri thirrje prokurorisë të veprojë për këtë vjedhje dhe të mos e zvarrisë çështjen.
“Në një auditim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Bashkinë Fushë-Arrëz në vitin 2019, me objekt aktivitetin përgjatë vitit 2017, dhe përputhshmërinë e prokurimeve me të ardhurat për periudhën 2017-2018, ka gjetur disa shkelje. Dy më kryesoret janë një tender për rikontruksionin e shkollës së Iballës dhe rikontruksionin e shkollës së mesme në qytetin e Fushë Arrëzit. KLSH pas konstatimeve për shkelje ka kërkuar kallëzim penal për dy kompanitë që, në bashkpunim me zyrtarët të bashkisë së Fushë-Arrëzit kanë shkelur ligjin. Shkeljet e evidentara nga KLSH janë konsumim i veprave penale të falsifikimit të dokumenteve, dhe e gjitha është bërë me qëllim paraqitjen e të dhënave të rreme për të fituar tenderat”, tha Kaso.
“Shkelja e bashkisë, sipas KLSH, është se nuk ka bërë verifikimet e duhura. Më saktë nuk ka dashur të bëjë verifikimet e rastit, sepse për tenderat të cilat i ka fituar bashkimi i dy kompanive, ka pasur dakordësi që më parë. Pra, kemi të bëjmë, jo me shkelje nga pakujdesia, por me shkelje me dashje, me qëllime favorizimi dhe korrupsioni. Kontrolli i Lartë i Shtetit për këto shkelje ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Shkodrës. Dosja është rrotulluar në sirtarët e kësaj prokurorie për tre vjet dhe vetëm para katër muajsh kjo Prokurori ka vendosur t’ia kthejë mbrapsht dosjen Prokurorisë së Pukës. Skema është e qartë: kompanitë fituese me dokumentacion të rrëmë, për të mbrojtur veten dhe bashkinë Fushë Arrëz kanë ndërhyrë në prokurorinë e Shkodrës që ta “mbyllin” çështjen, duke i’a kaluar Pukës, një territori që ata e njohin dhe mund ta kontrollojnë më lehtë.
Gjasat janë që ky të jetë një tjetër krim pa ndëshkim i bashkive të Edi Ramës, një tjetër rast kur taksat e pukjanëve të shkojnë në xhepat e oligarkëve të zonës.
I bëjmë thirrje Prokurorisë së Pukës që të ndjekë gërmën e ligjit jo ngjyrën e parave”, shtoi Kaso. (A2 Televizion)