
Radio Europa e Lirë, e cila citon burime nga zyrtarë të BE, bënë me dije se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të re mes tyre, e cila nënkupton pezullimin e vizitave të zyrtarëve të lartë në vendet respektive.
Sipas burimeve nga BE, marrëveshja do të qëndrojë deri sa të përfundojnë gërmimet në varrezat e dyshuara masive dhe erdhi si pasojë e refuzimit të kërkesës së disa zyrtarëve serbë për të vizituar Kosovën disa ditë më parë.
Zëdhënësi i BE për Politikë të Jashtme, Peter Stano, e konfirmon këtë gjë, por pa dhënë detaje se për çfarë është rënë dakord nga palët.
“Ne nuk komentojmë marrëveshje diplomatike apo të mirëkuptimit, të cilat i ka ndërmjetësuar BE-ja me apo mes partnerëve tanë. Por, në këtë rast konkret, mund të konfirmoj, pa hyrë në detaje, se ne kemi ndërmjetësuar një mirëkuptim të tillë mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me vizitat e ndërsjella”, u shpreh Stano.
Mësohet se marrëveshja u arrit përmes përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak. (A2 Televizion)