
Homazhet në memorialin e ushtarëve të rënë të KFOR-it, çelën aktivitetet me rastin e 21-vjetorit të hyrjes trupave të NATO-s në Kosovë dhe fundit të pushtimit serb. Ndërsa vendosi një buqetë me lule pranë memorialit, kryeministri Avdullah Hoti, falënderoi partnerët ndërkombëtarë, të cilëve, siç tha u detyrohen për lirinë që gëzojnë sot.
Kreu i ekzekutivit vizitoi gjithashtu shtatoret e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe heroit kombëtar Zahir Pajaziti. Homazhe në memorialin kushtuar ushtarëve të vrarë të NATO në sheshin “Nënë Tereza” zhvilluan gjithashtu edhe kryetarja e Parlamentit Vjosa Osmani, komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Gjeneral, Michele Risi, ambasadorë të shteteve të “Quint”-it, diplomatë dhe deputetë.
Kuvendi i Kosovës mbajti më vonë një seancë solemne, me pak të ftuar e pa praninë e miqve ndërkombëtarë. Gjatë seancës u shfaq një video që dëshmoi kontributin e KFOR gjatë këtyre viteve, përfshirë dhurimin e pajisjeve mbrojtëse gjatë muajve të fundit. (A2 Televizion)