
Nuk ka lënë shije të mirë vendosja e masave shtrënguese nga ana e Bashkimit Europian ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri dhe moskoordinimin me aleatët për uljen e tensioneve.
“Sanksionet” që kryesisht godasin procesin e integrimit të vendit kanë hyrë në fuqi që prej 28 qershorit dhe kanë sjellë reagimin e ashpër të faktorit politik në Kosovë.
Në një postim rrjetet sociale, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkruan se sanksionet tregojnë se kryeministri Kurti është në rrugë të gabuar, teksa largimi i tij është në interesin kombëtar.
“Sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie. Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi. Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, shkruan Haradinaj në Facebook. (A2 Televizion)