
Vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur si organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Lista Serbe e ka cilësuar si “pjesë të planit të Kurtit për të vazhduar me terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve.
Në një njoftim, partia më e madhe e serbeve të Kosovës akuzon qeverinë në Prishtinë për përshkallëzim të situatës dhe i bën thirrje KFOR-it dhe Eulex të parandalojë planin djallëzor të Kurtit, siç e cilëson.
Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë dhe çdo shkelje shoqërohet me pasojë të rënda ligjore.
“Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit para policor dhe pushtues në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje misioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të vendit në mënyrë që të “parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”.
Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.
Ministrja për punët e jashtme në Kosovë, Donika Gërvalla tha se organizatat që ushtrojnë terror mbi qytetarët dhe institucionet nuk kanë vend në Kosovë.
“Organizatat që ushtrojnë terror ndaj qytetarëve dhe institucioneve nuk kanë vend. Baza ligjore është aty edhe ne mendojmë se asnjë organizatë terroriste e çfarëdo prejardhje etnike apo çfarëdolloj përbërje kriminale të ketë nuk duhet të lejohet të veprojë në Republikën e Kosovës. Ne jemi zotuar për sundim të ligjit në çdo cep të vendit dhe aty organizatat që ushtrojnë terror ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës nuk kanë vend,” deklaroi Gërvalla.
Shefja e diplomacisë së Kosovë komentoi edhe masat ndëshkimore të bashkimit europian, duke quajtur ato të panevojshme.
Teksa saktësoi se nuk bëhet fjalë për bllokim të fondeve të BE-së, por për pezullim të përkohshëm, shefja e diplomacisë së Kosovës, theksoi se mesazhe të tilla janë të rrezikshme pasi mund t’i krijojnë përshtypjen presidentit Aleksandër Vuçiç se mund të vazhdojë me destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. (A2 Televizion)