
Liderët e Bashkimit Europian dhe udhëheqësit e vendeve anëtare miratuan konkluzionet për tensionet Kosovë-Serbi në samitin e Këshillit Europian. Pas diskutimeve dy ditore në Bruksel, zyrtarët dolën me një qëndrim të përbashkët duke dënuar incidentet e dhunshme në veri dhe kërkuan uljen e menjëhershme të tensioneve, bazuar në elementet kyçe të përcaktuara nga BE më 3 qershor.
Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative. Është thelbësore që dialogu i lehtësuar nga BE nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të lartë dhe implementimi i shpejtë i marrëveshjes për normalizim dhe i aneksit të zbatimit të vazhdojë. Kjo përfshin edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Konkluzioni 41 i Samitit të Këshillit Europian
Në samitin e zhvilluar në Bruksel, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili informoi të pranishmit lidhur me ecurinë e dialogut Prishtinë-Beograd dhe për zhvillimet e situatën në terren në veri të Kosovës.
Në një tjetër konkluzion, liderët dhe udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian shprehin përkushtimin e tyre për zbatimin e të gjitha deklaratave të mëhershme, përfshirë atë të Selanikut, Sofies, Zagrebit, Bërdos dhe Tiranës për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në deklaratë shkruhet se Unioni mbështet përshpejtimin e procesit të integrimit të bazuar në meritë dhe në reformat e kërkuara. (A2 Televizion)