Kosova nënshkruan 13 marrëveshjet e mbledhjes së anuluar me qeverinë e Shqipërisë

Nga A2 CNN
6 Korrik 2023, 22:28 | Kosova
Kosova nënshkruan 13 marrëveshjet e mbledhjes së anuluar me

Qeveria e Kosovës njofton se ka nënshkruar ditën e enjte 13 marrëveshjet me Shqipërinë që do të firmoseshin në mbledhjen e anuluar të dy qeverive të 14 qershorit, të cilat i ishin dërguar të nënshkruara nga pala shqiptare Ministrisë së Jashtme, para nisjes së vizitës së kryeministrit Edi Rama.

Sipas qeverisë së Kosovës, nga këto marrëveshje do të përfitojnë qytetarët të të dy vendeve.

Njoftimi i Kryeministrisë

Gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të Qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale. Kësaj radhe, edhe pse pa mbledhje të dy Qeverive, u nënshkruan 13 sosh, që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria e drejtësia deri tek arsimi dhe kultura.

Me qëllim krijimin e një hapësire të lirë për ndërveprimin e njerëzve, ideve, kapitalit dhe fushave të tjera të përbashkëta, si dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë për shtetasit e dy vendeve, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit.

Për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, promovimin e tregtisë dhe lehtësimin e procedurave kontrolluese, është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës jo-shtazore.

Një tjetër marrëveshje, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë, është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet edhe dhurimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, i portalit e-inspection.

Gjithashtu, Ministrat e Brendshëm të dy vendeve tona kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.

Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen mes vendeve tona, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos