
Në një hark kohor prej 30 minutash Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli vendimet përfundimtare për tre njerëz të sistemit të drejtësisë.
KPK ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës Ilir Mustafaj.
Mustafaj ishte një nga kandidatët për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Prokurorja në Prokurorinë e Tiranës, Elida Kaçkini, është rikonfermuar në detyrë nga KPK.
Nga hetimi i thelluar administrativ i KPK rezultoi se dy automjetet në pronësi të saj dhe bashkëshortit, si dhe tre llogari bankare e depozita, janë siguruar me të ardhura të ligjshme, ndërsa disa mospërputhje për blerjen e një apartamenti nga bashkëshorti para martesës nuk kanë ndikuar në gjykimin pozitiv të KPK-së.
Kaçkini është edhe një nga kandidatet për SPAKU-un.
Të njëjtin fat nuk e pati kreu i Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli. Në seancën dëgjimore Komisioni relatoi probleme në pasuritë e tij, në bilanc negativ për disa vite dhe shpenzime të pambuluara në të ardhura të ligjshme. (A2 Televizion)