KPK shpall 3 vendime, shkarkohet gjyqtarja e dosjes "Tahiri" në Apel

Nga A2 CNN
17 Qershor 2020, 16:25 | Aktualitet
KPK shpall 3 vendime, shkarkohet gjyqtarja e dosjes "Tahiri" në

Në një hark kohor prej 30 minutash, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shpalli vendimin përfundimtar për tri gjyqtare të Apelit, duke mbajtur në sistem dy prej tyre dhe shkarkuar të tretën.

Karton të kuq në veting mori anëtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit, Nure Dreni. Në seancën dëgjimore të Drenit, Komisioni relatoi mospërputhje dhe pasaktësi në pasuritë e deklaruara nga gjyqtarja, si edhe pamundësi financiare për shkollimin e vajzave të saj në Angli në vitet 2011-2014.

Nure Dreni ishte pjesë e treshes gjykuese që në 24 qershor do të shpallte vendimin përfundimtar ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Mbetja e trupës me dy gjyqtarë do të detyrojë shtyrjen e shpalljes së vendimit.

Njëkohësisht, Dreni është gjyqtarja që pak ditë më parë ktheu në detyrë gjyqtarin e Shkallës së Dytë të vetingut, Luan Daci, i pezulluar nga Shkalla e Parë për shkak të një hetimi të nisur ndaj tij.

Gjatë së mërkurës, me shumicë votash, KPK konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Edlira Petri, bashkëshorte e gjyqtarit të Lartë, Sokol Sadushi.Vendim pozitiv mori edhe kolegia e saj në Apelin e Tiranës, Elona Stavri Toro. Komisioni nuk vërejti problematika në pasuritë, figurën dhe aftësitë e tyre profesionale.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos