Krasniqi: Shteti u shfaq i dobët ditën kur shqiptarët kishin nevojë për të

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2019, 10:11 | Aktualitet
Krasniqi: Shteti u shfaq i dobët ditën kur shqiptarët kishin

Analisti Afrim Krasniqi deklaroi në studion e Ditari në A2 se “ditën që shqiptarët patën nevojë për shtetin e tyre, ai ishte shumë i dobët”, duke iu referuar reagimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

“Ka rënë shumë besimi te shteti dhe kjo do të ketë pasoja afatgjata. Nga ana tjetër, reagimi shoqëror dhe ai i medias ishte në nivelet më të mira, por nuk e zëvendësojnë dot nevojën e madhe të qytetarëve për garanci dhe për instrumenta që mund të përballojnë situata të tilla. Emergjencat nuk vepruan dhe shtetit iu deshën më shumë se 6 orë për të shkuar te qytetarët”, u shpreh Krasniqi.

Në lidhje me angazhimin e partive politike në këtë situatë, Krasniqi theksoi se ky ishte momenti kur duhet të vepronin vetëm institucionet që paguhen me taksat e shqiptarëve.

“Në raste të tilla, nuk kanë punë partitë politike dhe është e habitshme që ne pamë partitë të vepronin në terren. Partitë janë për jetë politike dhe institucionale. Në momente të tilla veprojnë vetëm institucionet që paguhen nga taksat e qytetarëve. Përpjekja e mazhorancës për ta përdorur për politikë, duke i thënë opozitës të ulet në bisedime, çfarë zgjidh për qytetarin? Palët kanë bërë llogari dhe po përfitojnë nga kjo situatë. Kjo është shumë e rëndë”, tha analisti.

Sipas tij, “prokuroria duhet të nxjerrë kush janë përgjegjësit për këtë dramë që ndodhi”.

“Duhet një kryeprokuror që të marrë drejtimin në një moment kur të gjithë sytë tani janë te fajtorët, të cilët nuk i kemi përballë. Ata mund të jenë zyrtarë, kryetarë bashkie, ministra, biznesmenë, të cilët kanë miratuar leje që morën jetë njerëzish. Gara për kryeprokuror ka qenë një nga garat më të mira dhe shpresoj që ta kemi edhe në nivelet e tjera. Është një nga rastet e pakta ku asnjë nga aktorët politikë nuk e ka kontestuar procesin”, tha Krasniqi.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, analisti mendon se “të dyja palët janë dakord për ndryshime “kozmetike”, çështja është që asnjëra palë nuk i jep përgjigje çështjeve kryesore që shqetësojnë qytetarët: sistemi zgjedhor, transparenca zgjedhore dhe financimit të partive”.

Krasniqi shtoi se “liderët politikë duhet të takohen pas kësaj situate që kaluam”, pasi, sipas tij, “Shqipëria ka nevojë për një pakt kombëtar për mirëqeverisjen”.

“Ajo çfarë ndodhi me kryetaren e Bashkisë së Durrësit është tregues i pafuqisë së një partie për të drejtuar të gjithë Shqipërinë, i pafuqisë së një grupi njerëzish për ta marrë nën kontroll të gjithë strukturën pavarësisht legjitimitetit të mandateve”, nënvizoi Krasniqi.

Në fund, Krasniqi lavdëroi edhe punën e mediave në situatën pas tërmetit: “Ka pasur një tentativë të çuditshme për ta kthyer stacionin privat të kryeministrit në stacionin zyrtar të Shqipërisë, si burim informacioni. Ky është paradoks, tipar i shoqërive të korruptuara dhe është një nga dobësitë kryesore që pati mazhoranca në menaxhimin e situatës. Media shkoi te qytetarët shumë më përpara se të shkonin strukturat shtetërore. Mediat ndihmuan, asistuan dhe sensibilizuan edhe kur politikanët hynë nëpër shtëpi. Nëse nuk shkon kamera te një familje në nevojë, askush nuk kujtohet për të”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos