Banka e Shqipërisë kërkon të vendosë një tavan mbi normat e interesit dhe penalitetet që aplikojnë bankat dhe institucionet e mikrokredisë. Përmes një projekt rregulloreje që u është dërguar për konsultim këtyre institucioneve financiare, përcaktohet se norma efektive e interesit, që përfshin brenda edhe komisionet e ndryshme, nuk duhet të tejkalojë me një të tretën normën mesatare të kredive të dhëna gjatë tremujorit të mëparshëm.
Ndërsa sa i takon penaliteteve dhe kamatëvonesave, ato nuk duhet të tejkalojnë 30% të këstit të papaguar të kredisë.

Aktualisht në vend operojnë 12 banka dhe 30 institucione financiare jo banka. Për segmentin e kredisë personale me afat deri në një vit, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bankat aplikojnë një normë efektive interesi që varion nga 5.5% në 10.46%. Që do të thotë se për një kredi prej 200 mijë lekësh, qytetari pritet të kthejë mbrapsht deri në 221 mijë lekë.

Nga ana tjetër, për institucionet e mikrokredisë norma efektive e interesit varion nga 10%, deri në 40%. Kjo do të thotë se një qytetar që merr kredi 200 mijë lekë, mund të pritet të kthejë nga 220 mijë deri në 280 mijë lekë. Por në varësi të shumës dhe situatës, kjo normë interesi sipas Bankës së Shqipërisë, mund të arrijë në institucione të veçanta deri në 622%.
Tavani mbi përqindjen e kredisë konsumatore është një instrument që përdoret kryesisht për të mbrojtur konsumatorët në ato vende ku vihen re abuzime. Por ai është i përdorur edhe në vende të Bashkimit Europian, si Franca, Italia dhe Gjermania, si dhe në Shtetet e Bashkuara. (A2 Televizion)