
“Furnizimi i Ukrainës me armë nga Perëndimi vetëm sa do ta shtojë dhimbjen dhe vuajtjen për vendasit.” Kështu është shprehur të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ndërsa komentonte vendimin e Francës për të dorëzuar automjete të blinduara luftarake në Ukrainë, Peskov tha se nuk ka kuptim të flitet vetëm për furnizimet franceze, pasi sipas tij, Evropa kolektive, SHBA-ja dhe NATO-ja kanë pompuar dhjetëra miliarda dollarë në Ukrainë përmes furnizimit me armë.
“Dorëzimet mund t'i shtojnë dhimbje popullit ukrainas, të zgjasin vuajtjet e tij. Por nuk mund të ndryshojnë rrënjësisht asgjë në Ukrainë. Këto furnizime nuk janë në gjendje të pengojnë arritjen e qëllimeve të operacionit special ushtarak,” tha Peskov.
Kujtojmë këtu se Moska i është referuar vazhdimisht pushtimit të Ukrainës si një "operacion special ushtarak".
Ndërkohë, Gjermania aktualisht nuk ka plane për të dorëzuar tanket Leopard 2 në Ukrainë, por po përgatitet të dërgojë deri në 40 tanke luftarake të këmbësorisë Marder.
Ushtria gjermane, Bundeswehr, është gati të fillojë trajnimin e ushtarëve ukrainas. Dhe javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pohoi se Shtetet e Bashkuara do të furnizonin Ukrainën me automjete luftarake Bradley, si pjesë e një pakete të re ndihme për sigurinë për vendin.
Paketa prej gati 3 miliardë dollarësh është ndër paketat më të mëdha të pajisjeve ushtarake të dërguara nga Pentagoni në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Ajo vjen ndërsa Ukraina përgatitet për luftime intensive në pranverë, ndërsa moti ngrohet.
Rreth 10 take në Ukrainë pritet të dërgojë edhe Britania e Madhe. (A2 Televizion)