Krenaria e Vunoit, nderi i kombit Dhimitër Anagnosti duartrokitet nga vendi i fëmijërisë

Nga A2 CNN
10 Mars 2023, 16:17 | Aktualitet
Krenaria e Vunoit, nderi i kombit Dhimitër Anagnosti duartrokitet nga vendi

Ai është krenaria e gjithë Shqipërisë, krenaria e gjithë vlerave dhe thesareve që renditen mes produksioneve kinematografike. Dhimitër Anagnosti është syri njerëzor i përkthyer në magjinë e filmit. Por, emocionet që merr një artist si ai kur vjen një çmim si krenaria e Vunoit, mbetet ende një ndjesi e veçantë.

Në muzeun historik kombëtar ku u mbajt edhe ceremonia e nderimit, kishin mbërritur edhe shumë prej atyre që janë rritur jo vetëm me filmat e tij, por edhe me rrëfimet, ngjarjet dhe panoramën fantastike të një vendi si Vunoi.

“Një njeri shumë i thjeshtë, i cili e do vendin e vet. Njeri fjalëpak, por çdo fjalë e tij është një pikë vaji e cila varet se për çfarë e përdor”, tha Jorgo Goro, kryetar i Bashkisë Himarë.

Artistë që kanë punuar dhe kanë marrë prej gjenialitetit të tij ishin po ashtu aty në radhët e dashamirësve që e duartrokasin me admirim. “Unë e kam nisur karrierën time me profesor Dhimitër Anagnostin dhe jam e bekuar, sepse ka qenë një ogur shumë i mirë”, tha aktorja Luli Bitri.

“Është patjetër një nga yjet e kinemasë shqiptare dhe artit shqiptar. Për gjenitë nuk kohë, ata nuk ndryshojnë kurrë. Jo sistemet të ndryshojnë, por bota të përmbyset ata mbeten po ata”, shtoi aktori Artur Gorishti.

Dokumentari 50 minuta i realizuar nga Ilir Kasneci në nder të Dhimitër Anagnostit ishte një nga emocionet e tjera të kësaj mbrëmjeje, ku krenaria e Vunoit i kishte gjithë sytë nga kineasti.

Aktiviteti i organizuar ishte nismë dhe kontribut i Shoqatës “VUNOI” në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

Anëtarët e komunitetit të fshatit Vuno, përmes kësaj shoqate kanë si qëllim rigjallërimin e jetës social-kulturore në fshat nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të ndryshme në komunitet, ndër to dhe Festa e Vunoit, e cila mbahet çdo vit të shtunën e parë të muajit qershor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos