Kreu i Apelit Administrativ denoncohet nga... kolegët

Nga A2 CNN
13 Qershor 2019, 19:11 | Aktualitet
Kreu i Apelit Administrativ denoncohet nga... kolegët

Kastriot Selita, kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, është përballur me dy denoncime të pazakonta gjatë procesit të vetingut.

Ai është shigjetuar nga një grup gjyqtarësh të Apelit për dy nga tre kriteret rivlerësuese, profesionalizmi dhe pastërtia e figurës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit relatoi pretendimin e ngritur nga ky grup gjyqtarësh se në vitin 2016 një trupë gjykuese me Selitën në përbërje, ka marrë një vendim në tejkalim të ligjit.

Sipas denoncuesve, verdikti në fjalë ka detyruar Këshillin e Lartë të Prokurorisë të emërojë si prokuror Bledar Valikajn, një vit pasi dekretimi i tij ishte rrëzuar me heshtje nga Presidenti i Republikës. Në denoncimin tjetër pretendohej se gjyqtari Selita kishte kontakte me një shtetas të përfshirë në veprimtari kriminale, pretendim që, sipas KPK-së rezultonte i paprovuar.

Edhe DSIK nuk kishte vërejtur kontakte të papërshtatshme të gjyqtarit. Nga ana tjetër, komisioni vlerësoi si të justifikuara në burime të ligjshme pasuritë e patundshme të Selitës, mes të cilave një apartament në Tiranë dhe një dupleks në Gjirin e Lalzit.

Gjatë seancës, kreu i Apelit Administrativ mbajti qëndrim mohues ndaj denoncimeve duke pohuar se kishte zbatuar me rigorozitet ligjin gjatë ushtrimit të detyrës. Të enjten para KPK-së doli edhe titullarja e Prokurorisë së Elbasanit, Enkeleda Millona. Komisioni nuk konstatoi probleme në pasurinë, figurën apo profesionalizimin e saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos