
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë një mbledhje këtë të enjte në orën 13:00, pasi vendimi i saj për të konsideruar inekzistent dekretin e Presidentit është kundërshtuar.
Idajet Beqiri, kryetar i Partisë Uniteti Kombëtar ka depozituar një kërkesë pranë KQZ ku pritet të kundërshtojë vazhdimin e vendimmarrjes nga ana e këtij institucioni pas dekretit të Presidentit. Kërkesa e tij do të diskutohet në këtë mbledhje dhe nëse – siç ka gjasa të ndodhë – kërkesa do të rrëzohet, atëherë çështja mund të kalojë për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor.
Në 10 qershor, pas largimit të kreut të KQZ, Klement Zguri, 4 anëtarët e tjerë e konsideruan dekretin e ri të Presidentit si një akt absolutisht të pavlefshëm dhe u zotuan të vazhdonin punën për organizimin e zgjedhjeve në 30 qershor. (A2 Televizion)