Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e vijoi turin e tij me disa takime me sipërmarrësit në zonën e Korçës.
Ndërsa u njoh me problematikat që biznesi po has në këto kohë pandemie, kryedemokrati përsëriti edhe njëherë premtimin e tij për sistemin e ri të taksave që do të hyjë në fuqi në ditën e parë kur forca e tij të marrë pushtetin.
“Kryeministri ka kopjuar programin e PD për biznesin, por nuk e ka lexuar mirë dhe as e ka kuptuar atë. Çështja është që biznesi i madh apo i vogël janë në krizë të thellë. Në krizë kanë qenë dhe përpara pandemisë. Gjendja është keq e më keq. Ndaj duhet të theksoj edhe njëherë masat tona stabilizuese që do të marrim që ditën e parë në pushtet. Së pari do të çlirojmë biznesin nga ankthi ku është vendosur nga terrori qeveritar apo inspektoratet. Do t’i vendosim një vit në karantinë inspektorate.
Së dyti do të vendosim një sistem konkurrues taksash për rajonin. Çdo biznes i vogël deri në 140 mln lekë do të ketë vetëm një taksë që do të jetë 0.5% e xhiros vjetore. Çdo taksë tjetër do të zhduket. Për biznesin e madh do të vendosim taksën e sheshtë 9%. Pa këto masa ekonomia do të vazhdojë të hidhet në një gropë më të thellë, siç është hedhur në këto 7 vite”, u shpreh Basha. (A2 Televizion)