Kreu i Gjykatës së Lartë në KPA, Komisioneri Publik: Të shkarkohet

Nga A2 CNN
25 Qershor 2019, 13:17 | Aktualitet
Kreu i Gjykatës së Lartë në KPA, Komisioneri Publik: Të

Komisioni i Posaçëm i Apelimit po kryen rivlerësimin e figurës së kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, pasi në 28 shtator të vitit të kaluar ai ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ankimi për konfirmimin e Zaganjorit është bërë nga ana e Komisionerit Publik, institucioni që përfaqëson interesin e publikut në procesin e vetting-ut.

Komisioneri Publik ka konstatuar se KPK është mbështetur në disa interpretime jo të sakta dhe nuk ndan të njëjtin qëndrim. Rezulton se Zaganjori ka në bashkëpronësi 4 pasuri, apartament 296 m2 në bashkëpronësi me bashkëshorten, një bodrum 264 m2, një bibliotekë dhe dyqan 281 m2 dhe zyrë 57 m2.

Po sipas Komisionerit Publik, për këto pasuri, në vitin 2003, krahasuar me deklaratën e bërë në vetting, ka pasaktësi në vlerën e pasurive dhe burimin e të ardhurave për krijimin e tyre. Deklarimi është i pamjaftueshëm, i pasaktë dhe nuk i justifikon ato në burime të ligjshme.

Në deklaratën vjetore të bërë në vitin 2003, Zaganjori ka deklaruar se vlera e apartamentit është 7,4 milionë lekë, ndërsa në deklaratën e bërë gjatë procesit të vetting-ut ka thënë se vlera është 5,8 milionë lekë. Edhe për një tjetër pronë, bibliotekën, në vitin 2003 ka deklaruar se vlen 1,4 milionë lekë, ndërsa gjatë vetting-ut, 1,8 milionë. Sipas Komisionerit Publik, pasaktësitë në vlera janë edhe në kontratat e shitjeve të këtyre pasurive, ku vlera e pasurive është deklaruar shumë më e vogël, nga 500 deri ne 120 mijë lekë.

Komisioneri Publik gjithashtu pretendon se kreu i Gjykatës së Lartë nuk ka arritur të provojë mënyrën e transferimit të vlerave monetare nga jashtë vendit. Tre janë burimet e deklaruara nga Zaganjori për krijimin e pasurive: 1. Shitja e një apartamenti; 2. Të ardhura personale; 3. Të ardhura nga qiraja.

“Për pasurinë apartament me sipërfaqe 293 m2, si burim deklarohen të ardhura personale dhe qira.

Ndërkohë në vitin 2003 si burim për krijimin është deklaruar shitja e apartamentit dhe të ardhura personale. Rezulton se kjo pasuri vijon të jetë e regjistruar në pronësi të familjarëve Zaganjori, ndonëse pretendohet e shitur te F.S.”, tha Komisioneri. “Për sa kohë apartamenti vijon të rezultojë në emër të familjarëve Zaganjori nuk krijohet bindja për të ardhurat e përfituara nga shitja e saj”.

Komisionieri Publik gjithashtu ka gjetur pasaktësi edhe në deklarimin e të ardhurave të përfituara nga bursa e studimit në Gjermani në periudhën 1998-99, pasi sipas tij shuma i ka shërbyer Zaganjorit për të jetuar bashkë me familjen atje. Gjithashtu, ai nuk ka paraqitur dokumentacion për të provuar kursimet e krijuara. Një zë tjetër i pasaktë janë të ardhurat e deklaruara për qiratë në vite. Për qiratë e periudhës 1999-2007 subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion të plotë ligjor.

Në fund, Komisioneri Publik ka kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK, shkarkimin nga detyra të Zaganjorit.

Nga ana e tij, Zaganjori i ka kundërshtuar pretendimet e Komisionerit Publik, duke bërë interpretime ligjore. “Nuk janë disa pasuri, por është një godinë e trashëguar nga familjarët e bashkëshortes. Aty është ndërtuat një godinë 5 kate, ku banojnë disa familje”, ka thënë kreu i Gjykatës së Lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos