
Nga burgu i Fierit, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, u është drejtuar përmes një SMS-je personale anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke u përcjellë fjalimin e tij, në të cilin kërkon debat mbi gjendjen e partisë, përgjegjësinë politike të Edi Ramës dhe aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së.
Në fjalimin e titulluar “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, Veliaj bën një bilanc të mënyrës së drejtimit të socialistëve, duke vënë përballë kulturën e dikurshme të debatit, solidaritetit dhe meritokracisë me atë që ai e përshkruan si vendimmarrje të përqendruar dhe klienteliste, dobësim të organeve kolegjiale dhe kufizim të mendimit ndryshe.
“Kur iu bashkova Partisë Socialiste 17 vjet më parë, ishim partia e shpresës. Sot jemi bërë parti e fshehjes, drojës dhe tutjes.”
Veliaj kritikon mënyrën e përzgjedhjes së ministrave dhe kandidatëve për deputetë, rolin real të Asamblesë dhe Kryesisë, si dhe pavarësinë e Grupit Parlamentar. Ai argumenton se kompetencat kushtetuese të kryeministrit nuk e përjashtojnë përgjegjësinë e tij politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur.
Në fjalimin 10-faqësh, Veliaj flet për ndërhyrjet e kryeministrit në pushtetin vendor dhe veprimet që ai i konsideron pjesë të një përpjekjeje për neutralizimin e tij politik. Veliaj i referohet shkarkimit të tij nga Këshilli i Ministrave, vendim i shfuqizuar më pas nga Gjykata Kushtetuese. Ai përsërit pretendimet se, pas transferimit nga Durrësi në Fier, Ministri i Drejtësisë i ka përcjellë kërcënime në emër të Edi Ramës për rëndimin e pozitës penale dhe të kushteve të paraburgimit, në këmbim të dorëheqjes nga mandati. Për këto pretendime, Veliaj kërkon verifikim përmes një komisioni hetimor parlamentar, me transparencë për publikun.
Veliaj ia atribuon Edi Ramës përgjegjësinë kryesore politike për modelin aktual të drejtimit të PS-së dhe shprehet se reformimi i partisë nuk mund të realizohet pa ndryshuar këtë model dhe kryetarin që e ka ndërtuar.
Ai kërkon që Asambleja Kombëtare të shqyrtojë formalisht përgjegjësinë politike të Ramës dhe të ndërmerren hapat për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit, përmes debatit të hapur dhe vendimmarrjes sipas rregullave të partisë.
Veliaj thekson rëndësinë e institucioneve dhe përkohshmërinë e çdo drejtuesi:
“Prova e vërtetë e një drejtuesi nuk është sa gjatë arrin ta mbajë pushtetin, por çfarë institucionesh lë pas, për shtetin dhe njerëzit e tij.” (A2 Televizion)