Presidenti Meta tha se do të bëjë gjithçka në dorën e tij për të ruajtur pavarësinë e institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ai zbuloi se për postin e kreut të këtij institucioni ka pasur propozime edhe nga socialistët. “Ka shumë anëtarë edhe nga mazhoranca aktuale që kanë shprehur interes për këtë post”, tha presidenti. “Kreu i KSLH duhet të jetë një person që duhet të garantojë pavarësinë e këtij institucioni, në radhë të parë nga mazhoranca aktuale. Apo, pas zgjedhjeve të ardhshme, nëse do të ndryshojnë raportet, mbetet detyrë e presidentit që të garantojë që kreu i KLSH të jetë i pavarur”.
Shumica socialiste, e cila deri tani ka rrëzuar tri kandidatura të propozuara nga Meta, ka ndërmarrë një nismë për një mekanizëm zhbllokues me emërimin e një nënkryetari. I pyetur çfarë do të bëjë nëse ky ligj kalon dhe kandidati i katërt i Metës nuk votohet, Presidenti tha: “Nuk dëshiroj të paragjykoj se çfarë do të bëjë Kuvendi. Di që gjithmonë do të respektoj vetëm Kushtetutën dhe çdo ligj që del në respekt të saj dhe jo ligje që shpiken mbi Kushtetutën”.
Presidenti ka propozuar emrin e Arben Shehut për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Para tij, Kuvendi ka rrëzuar emrat e Petraq Milos, Vitore Tushës dhe Bahri Shaqirit. Momentalisht, kreu i këtij institucioni është Bujar Leskaj. (A2 Televizion)