
Orientimi i maturantëve po ndryshon çdo vit në përzgjedhjen e degëve të studimit. Për këtë vit akademik, Fakulteti Filiologjik, Universiteti Bujqësor, artet, shkencat sociale, ato të natyrës dhe mësuesia kanë pësuar rënie të studentëve.
Pozitivisht janë paraqitur degët e mjekësisë, inxhinierisë, IT si dhe menaxhimi i biznesit. Dekani i fakultetit të Historisë dhe Filologjisë argumenton shkaqet: “Emigrimi, lindshmëria, konkurrenca dhe tregu i punës”.
Universiteti Bujqësor sipas INSTAT ka 20% më pak student në vit të parë këtë vit, por zv/rektori Kapaj ka shifra të tjera: “Kemi një rënie me 4%, por i kemi plotësuar kuotat. Kemi disa degë që për shkak të maturantëve kanë 2-3 vite të pezulluara, jo aktive”.
Sektori i bujqësisë në tërësi ofron treg pune, madje në disa sektorë specifikë nuk plotësohen nevojat: “95% e veterinerëve tanë punësohen, shumica e studentëve në degët e bujqësisë po ashtu, kemi mungesë të studentëve të formuar në menaxhimin e pyjeve”.
Maturantët e këtij viti arsimor janë në fazë konsultimesh para provimeve. Paralelisht, fakultetet kanë nisur fushatën e prezantimit të programeve për të tërhequr sa më tepër studentë. (A2 Televizion)