
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thirri një mbledhje të Këshillit për Demokraci dhe të Drejtave të Njeriut, pas vrasjes makabër të gruas shtatzënë në Prishtinë. Në tryezën pritet të jetë të gjithë liderët institucionalë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca. Osmani nënvizoi se pas takimit pritet të dilet me konkluzione konkrete për mënyrat se si të parandalohen aktet e dhunës dhe vrasja e grave.
Presidentja mirëpriti sloganin kryesor të protestës së të enjtes, që kjo krizë sociale të trajtohet sa më urgjentisht të jetë e mundur. Për Televizionin Publik të Kosovës, RTK, presidentja nënvizoi se kjo është një sfidë serioze për shtetin dhe shoqërinë.
“Në këtë takim përveç liderëve institucionalë do të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, të sigurisë, përfaqësues të shoqërisë civile, të institucioneve të pavarura. Në agjendë janë dy pika konkrete: E para, secili institucion të jetë në inputin e vet, lidhur me mangësitë që ekzistojnë në sistemin tonë për mbrojtjen e jetës së vajzave dhe grave dhe e dyta do të dalim me përfundime dhe konkluzione konkrete se si të parandalojmë këto akte të dhunës dhe këtë femicid sa më urgjentisht që të jetë e mundur. Shpresoj shumë që secili nga institucionet e Kosovës do të vijë me një listë veprimesh konkrete të cilat nën ombrellën e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtave të Njeriut dhe i cili do të mbikëqyrë zbatimin e tyre do të shtyhen përpara, duke kuptuar seriozitetin e kësaj situata jashtëzakonisht tronditëse për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë. Si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”, tha Osmani.
Të enjten, qytetarët e Kosovës protestuan për vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e QKUK-së. “Polici jeni bashkëfajtorë në vrasjen e grave”, “Edhe sa thirrje të humbura”, janë disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët po marshojnë drejt Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Në protestën e organizuar kundër vrasjes së 35-vjeçares, protestuesit po kërkojnë që vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare. Pas marshit në institucionet kryesore të vendit, ku vendosën mbishkrime të marrjes së përgjegjësisë për vrasjen e shtatzënës në oborrin e QKUK-së, protestuesit hodhën edhe benzinë mbi objektin e qeverisë, ku për disa minuta u ndez zjarr, por reaguan shpejt forcat policore që shuan atë.
Ndërkohë Inspektorati Policor ka nisur hetimin për trajtimin e rastit nga policia të 35-vjeçares së vrarë mbrëmë. “Ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës, sipas detyrës zyrtare, ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilat janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së, për KosovaPress.
Më herët, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka kërkuar përfshirjen e IPK-së për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti. (A2 Televizion)