
Qytetarët e Kosovës kanë protestuar pasditen e sotme për vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e QKUK-së. Qindra protestues janë mbledhur në sheshin "Zahir Pajaziti", ku po kërkojnë përgjegjësi institucionale për vrasjen e një dite më parë.
"Polici jeni bashkëfajtorë në vrasjen e grave", "Edhe sa thirrje të humbura", janë disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët po marshojnë drejt Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Në protestën e organizuar kundër vrasjes së 35-vjeçares, protestuesit po kërkojnë që vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Pas marshit në institucionet kryesore të vendit, ku vendosën mbishkrime të marrjes së përgjegjësisë për vrasjen e shtatzënës në oborrin e QKUK-së, protestuesit hodhën edhe benzinë mbi objektin e qeverisë, ku për disa minuta u ndezë zjarr, por reaguan shpejt forcat policore që shuan atë.
Ndërkohë Inspektorati Policor ka nisur hetimin për trajtimin e rastit nga policia të 35-vjeçares së vrarë mbrëmë.
“Ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilat janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së, për KosovaPress.
Më herët ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se ka kërkuar përfshirjen e IPK-së për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti.
35 vjeçarja shtatzënë dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj me armë zjarri. Ajo po qëndronte në Gjinekologji, meqë pritej që sot të sillte në jetë fëmijën e saj. (A2 Televizion)