
Do të jetë një natë e heshtur në Bethlehem, ashtu siç e thotë edhe kënga e Krishtlindjeve. Në këtë periudhë të vitit, qyteti ku besohet se lindi Jezu Krishti, do të kishte qenë i mbushur me vizitorë. Hotelet do të ishin plot dhe do të kishte qenë e vështirë të gjeje një tryezë të lirë në restorant.
Këtë vit, vetëm vendasit lejohen atje, dhe dyqanet, hotelet e restorantet që kanë mbetur hapur, janë të gjitha të boshatisura. Anton Salman, kryebashkiaku i Betlehemit, thotë: “Jemi në mes të një pandemie, ka kufizime të lëvizjes e ndërveprimeve sociale. Por, është Krishtlindje dhe Krishtlindjet u sjellin njerëzve shpresë për kohë më të mira”.
Vaksinat duhet të ndihmojnë, por dozat e para po shkojnë vetëm për shtetasit izraelitë. Palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Gaza do të duhet të presin. Liderët fetarë thonë se tani më shumë se kurrë është koha për reflektim: “Ndonjëherë, ne harrojmë të përqëndrohemi tek ana jonë shpirtërore. Kështu, mendoj se është një moment i mirë për t’u lutur e për të reflektuar mbi dashurinë e Zotit”.
Patriarku i sapoemëruar i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, i cili u infektua e tani është shëruar nga Covid-19, do të drejtojë shërbesën e kufizuar të këtij viti, por presidenti palestinez 85-vjeçar, Mahmud Abas, nuk do të jetë i pranishëm në Meshën e mesnatës në Kishën e Lindjes. (A2 Televizion)