
Pas një periudhe heshtje pothuajse 7 mujore, LSI reagoi për herë të parë ndaj përfshirjes së ish-aleatëve si pjesë e “trekëndëshit të Bermudës”, duke e cilësuar si “fake” opozitën e PD-së në Parlament.
Sipas gazetarit Erl Murati, i ftuar në programin “Debat” në A2 CNN, “marrëdhëniet midis dy partive kryesore të opozitës kanë qenë problematike edhe para zgjedhjeve të 25 prillit, pra nuk është një rrufe në qiell të pastër, pavarësisht se etiketimi ndaj LSI të Lulzim Bashës ishte befasues. Basha përmendi që nuk do përsërisin gabimet e vitit 2009, duke deklaruar kështu hapur që ishte i pakënaqur për aleancën e atëhershme me LSI-në. Por duhet theksuar se vetë zoti Basha nuk mund të bëhej kryetar bashkie në vitin 2011, pa atë aleancë”.
Sipas Muratit, kjo përçarje u reflektua edhe në zgjedhjet e fundit. “ Pavarësisht taktikës që ia kushtëzonte Kodi Zgjedhor, nuk patëm asnjë gjest politik ose të paktën propagandistik që këto parti të shkonin bashkë në zgjedhje, opozita hyri e ndarë dhe kjo u reflektua në rezultatet e 25 prillit”.
Sipas tij, në këtë marrëdhënie të vështirë “dy subjektet janë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, është në dobinë e të dyve që në zgjedhjet e tjera të jenë të bashkuara, sepse historia por edhe legjislacioni e tregon që të ndarë është pothuajse e pamundur të rikthehesh në pushtet”. (A2 Televizion)