
Maxhoranca dhe opozita nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për zgjatjen e afatit të organeve vettingut. Që në nisjen e mbledhjes, opozita kërkoi shtyrjen e mbledhjes me qëllim plotësimin e afatit 2 javor që do të lejonte unifikimin e ndryshimeve kushtetuese, ku krahas amendamentit të PS-së, të përfshiheshin në diskutim edhe propozimet e tyre për vetingun në politikë, reformën zgjedhore dhe atë kushtetuese.
“Duke prezumuar që i njëjti standard për njoftimin e nismës në këtë mbledhje të përbashkët do të duhet edhe me propozimin e opozitës, të bëhet kjo mbledhje e përbashkët në datë tre”, u shpreh Rushaj.
Socialistët kërkuan që ndryshimet kushtetuese të ecnin në mënyrë të pavarur, që njëra nismë të mos afektojë tjetrën.
“Janë dy nisma të ndryshime”, tha Bushka.
Kaq mjaftoi që të shënohej bojkoti i parë sa i takon procedurës për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit nga Partia Demokratike, por jo nga LSI.
Pavarësisht largimit të opozitës, brenda në sallë ishte një zë kritik.
“Personalisht unë jam jashtëzakonisht i pakënaqur nga ritmi i punës së vetë KPK-së dhe vetë ONM-së. Cilat janë garancitë që ne kemi?”, u shpreh Xhafaj.
Ish-drejtuesi i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj kishte kritika edhe për listën e ekspertëve që do të asistonin ndryshimin kushtetues.
“Më bën çudi, shikoj këtu delegacionin e BE, zyrën e OSBE-së se kuptoj pse duhet të jetë këtu? Por nuk shikoj këtu EURALIUS-in”, vjoi Xhafaj.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve paraqiti propozimin që të merret opinion nga Komisioni I Venecias por edhe në këtë rast hasi në rezistencën e kolegut të saj të partisë.
“Gjykoj që është e udhës të marrim një vendim edhe nga Komisioni i Venecias për këtë vendin”, theksoi Bushka.
“Është një investim i panevojshëm dhe nuk bëjmë gjë tjetër veç se i kthehemi të njëjtës histori që pak muaj përpara adresuam me Gjykatën Kushtetuese që iu drejtua Komisionit të Venecias që nuk u duk e arsyeshme fare”, theksoi Xhafaj.
Mbledhja e radhës pritet të jetë të mërkurën kur plotësohet edhe afati dy javor për shqyrtimin edhe të propozimeve të PD-së. (A2 Televizion)